Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjeve kriminale të ndodhura fundjavën që lam pas, vrasjes në Fier dhe grabitjes në Krujë.
Në një postim në rrjete sociale, kreu i shtetit dënon me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, të cilat sipas tij përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, ndërsa u bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të marrin masa.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”, shkruan Meta.





