Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur sot për herë të parë për gazetarët pas refuzimit të dekretimit të Gjeneral Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm.

“Sa i takon anës ligjore, padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorëve, diletantëve, apo të njëanshëmve, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit”, tha Meta në një prononcim për gazetarët.

“Dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal. Në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite, që Presidenti mund të kthejë mbrapa një propozim. Unë kam një pyetje tjetër, A mundet Parlamenti të kthejë mbrapa dekretin e presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën. Kështu që më lini të bëj detyrën time, me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë. Unë jam mjaft i lidhur me parlamentin dhe i zgjedhur nga parlamenti. Parlamenti për mua është gjithçka”, tha Meta.