Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur votimin unanim të Kuvendit të Shqipërisë për Protokollin e Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se ndihet krenar për rolin kyç që luajnë shqiptarët në këto vendimmarrje jetike për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë rajonin.
“E duartrokas votimin unanim nga Kuvendi të Protokollit të Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në #NATO! Prezenca e Kryetarit Xhaferi e nderoi këtë votë solemne.
Vizioni dhe vendosmëria politike për t’i hapur rrugën europiane dhe euro-atlantike vendit meriton vlerësimin më të lartë dhe mikpritjen më të ngrohtë në familjen Trans-Atlantike! Krenar për rolin kyç që luajnë shqiptarët në këto vendimmarrje”, ka shkruar Meta.





