Presidenti i Republikës Ilir Meta shkoi pranë ambjenteve të selisë së Frymës së Re Demokratike pas vendimit të Bashkisë Tiranë për ti marrë ambjentet. Madje kreu i shtetit pati edhe një moment irritimi teksa i kërkoi Policisë Bashkiake të dalë jashtë dhe të mos dhunojë një parti opozitare.
“Pse dhunoni partinë e opozitës? Dilni përjashta ose do iu çoj në burg me duart e mia”, u shpreh ndër të tjera Presidenti.
Pas ngjarjes, Meta foli për mediat duke e cilësuar këtë rast si një përpjekje mafiozëve për të vënë dorë mbi votën. Meta i bëri thirrje opozitës të “zgjohet sepse do të jetë vonë për të”.
Presidenti Meta: “E konsideroj përpjekje për të realizuar grusht shteti, sepse t’i sjellësh një partie zyrtare, opozitare, menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me PD-në dhe partitë e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje t’i sjellësh një shkresë të tillë pa vulë, pa numër protokolli, e bërë me vrap për të dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare, duke keqpërodur bashkinë bandë padyshim që është tepër irrutuese. Është paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë. I bëj thirrje të gjithë opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë më asnjë prekje të rregullave të garës. Do të jetë vonë edhe për të jo vetëm për qytetarët në rast se do të tolerojë partinë bandë. Po i paralajmëroj edhe një herë policinë bashkiake dhe policinë e shtetit. Të mos përfundoni si policët e Mubarakut nën këpucët e popullit shqiptar”.
Në prill të vitit 2016, FRD u transferua te godina ku më parë ka qenë ish-selia e Partisë Demokratike. Së fundmi, FRD vendosi të garonte në zgjedhjet e 25 Prillit në koalicion me Partisë Demokratike çka mendohet edhe arsyeja e “hakmarrjes” nga Bashkia e Tiranës.





