Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar një takim sot me strukturat lokale të kësaj force politike në Elbasan.
Meta theksoi se Elbasani rezulton qarku i dytë më i varfër në vend, pasi ashtu si Kukësi ka si sektor kryesor bujqësinë, e cila është kthyer në degën më të goditur dhe të braktisur nga qeveria aktuale.
Meta: Në rast se Kukësi ka të ardhurat më të ulëta për frymë, Elbasani renditet i dyti.Ky qytet është në gjendje kritike, bujqësia është dega më e braktisur dhe e goditur, 67% e personave në Elbasan punojnë në këtë sektor. Elbasani është braktisur!
Nga rritja e çmimit të karburantit, bujqësia ka marrë një kosto shkatërrimtare, rritja e shpenzimeve të fermerëve për naftën me gati 50 milionë euro. Ndërkohë fatkeqësisht jemi hapa mbrapa për mbështetjen e bujqësisë, u vu taksë e re 10% për imputet dhe lëndët e para.
Si do konkurrojnë fermerët tanë me ata të Maqedonisë të cilët mbështeten 10 herë më shumë nga qeveria apo të Kosovës, e kështu me radhë. Kjo është arsyeja pse Elbasani është në gjendje të mjeruar, sepse ka aktivitet kryesor bujqësinë, si viktimë kryesore e kësaj politike qeveritare.





