Në Kuvendin e Malit të Zi mbahet për herë të parë një fjalim në gjuhën shqipe. Ka qenë pikërisht Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet atje në kuadër të vizitës së tij dyditore, që ka mbajtur fjalën përshëndetëse.

Me këtë fjalim, Meta përuron instalimin e përkthimit shqip në parlamentin e Malit të Zi.

“Duke filluar nga sot, deputetët shqiptarë të Malit të Zi do flasin shqip në këtë Kuvend. Dhe kjo është një arritje demokratike. Duhet bërë më shumë për shqiptarët. Tuzi duhet të jetë komunë e pavarur. Duhet të respektohen të drejtat e pronësisë për shqiptarët, si dhe simbolet kombëtare. Komuna e Ulqinit duhet të administrojë vetë të mirat detare”,- theksoi ai.