Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se paditë e çuara në SPAK ndaj tij janë “orkestruara nga mafia për të hequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve”.

Në një intervistë në studion e emisionit “Të paekspozuarit”, Meta tha se asnjë nga këto manovra nuk do ta bëjë që ai të devijojë nga denoncimet e bëra për korrupsionin me djegësat e plehrave.

“Ka një luftë të qartë të mafies me mua dhe unë e bëj me shumë qejf këtë luftë me mafian, as më kërcet fare për ta dhe në radhë të parë me Edi Ramën. Nuk pengoj askënd të bëhet pjesë e këtij enturazhi mafioz të Edi Ramës, dhe të gjithë atyre peng të cilëve është Edi Rama.

Mos kujtoni se Edi Rama është zot i kësaj loje, ai është një instrument dhe do të jetë një viktimë e kësaj loje ku ka hyrë vetë. Ne nuk kemi dashur të hyjmë në këtë lojë sepse dëmton veten dhe vendin.

SPAK-u të hetojë ku të dojë, të hetojë në Amerikë, në Zelandën e re në Zimbabve, s’ka asnjë shqetësim. Ne nga këto hetime faktike me vulë dhe me firmë të Edi Ramës do t’i shkojmë deri në fund dhe nuk shmangin këto përralla mediatike. Të gjitha lojërat që bëhen për të spostuar vëmendjen nga afera e inceneratorëve”, tha Meta.