Presidenti i Republikës Ilir Meta ndodhet në qytetin e Lezhës ku do të bëjë homazhe dhe do të vendosë një kurorë me lule në memorialin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Lezhë.

Meta lartësoi figurën e Gjergj Kastriotit, si simbol i identitetit kombëtar.

“Sot është dita e kalimit në përjetësi e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, që me shumë të drejtë Fano Noli do e cilësonte shqiptari më i gjallë për gjithë shqiptarët përgjithmonë. Është jo vetëm kryeheroi kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, por edhe është ky personalitet i jashtëzakonshëm dhe një hero i qytetërimit evropian. Ai përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të popullit tonë. Kjo figurë kaq e madhe, që edhe shekuj më pas shërbeu si frymëzim kryesor i rilindjes sonë kombëtare për të ngritur popullin shqiptar në luftën për liri, shtet formim dhe pavarësi. Është pikërisht Gjergj Kastriot Skënderbeu që me veprën e tij do të frymëzojë shqiptarët për veprat e tij dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor.”, tha Meta.

Në mëngjes Kreu i Shtetit postoi një video në rrjetet sociale nga beteja për çlirimin e Krujës nga osmanët.