“Me bindje të plotë dhe të pa lëkundur, mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend dhe për të shpëtuar demokracinë në vend”.
Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një konferencë për shtyp këtë të martë, pas vendimit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Ai tha se “vendimmarrja e Presidentit u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të ndërsjelltë, të veprimeve histerike, për rritjen e tensionit në vend”.
Presidenti siguroi se zgjedhjet për pushtetin vendor do të bëhen në një datë të mëvonshme dhe në respekt me frymën e Kushtetutës. Ai u bëri sërish thirrje palëve për gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza.
“Zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme në një afat të arsyeshëm në respekt dhe në frymën e Kushtetutës. Ndërkohë që Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë Kushtetutën, të thellohen dhe të shfrytëzojnë hapësirën për të gjetur zgjidhjen për krizën përfshirë datën e re. Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe gati të marrë vendime të rëndësishme në përputhje me kompetencat për t'i shërbyer interesit kombëtar. Bëj thirrje për dialog, pasi do të ndihmonte në çeljen e negociatave”, tha Meta.





