Presidenti Ilir Meta i ka dhënë përgjigje pyetjeve nëse ai është në konflikt interesi, pasi bashkëshortja e tij është kryetare e LSI-së.

Por Meta ka zgjedhur që përgjigjen e pyetjes t’ia drejtojë gazetarit Sokol Balla, i cili sipas tij ka nënën e fëmijëve të tij, ministre të qeverisë Rama dhe nuk është në konflikt interesi.

“Nuk e di në cilën media punon…? Kush është aty, drejtor? Kryeredaktor? Koli është? A, po Kol Balla?

Aa po, tani e kam dëgjuar edhe herë tjetër këtë çështje nga miku im Sokol Balla edhe e di që ka merak të madh që unë jam në konflikt interesi që nëna e fëmijëve të mi është në opozitë, nuk e di se ku është interesi këtu kur ajo do që Rama të ikë, jo që të marrë pjesë në zgjedhje gjithëpërfshirëse.

Por të gjithë e dini që Koli nuk ka interes, asnjë konflikt interesi, pavarësisht se nëna e fëmijëve të tij punon në qeveri, kështu që faleminderit për pyetjen me gjykojnë shqiptarët se kush i krijon këto probleme dhe kush do ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga e normalitetit, shtetit ligjor.

Reforma në Drejtësi e Edi Ramës, ka fytyrën e skandalit të Unazës së Re, gjenocid ndaj njerëzve, kur të dëshirojë ai, tek Sokol Balla, të marri dhe ata miqtë e tij amerikanë, të marrë dhe zonjën Calavera , aty s’ka nevojë, dhe ta kuptojnë si ishte reforma dhe si u bë reforma”, ka thënë Meta sot para gazetarëve.

Sokol Balla, aktualisht drejtues i emisionit “Real Story” në Vizion Plus, ka qenë i martuar me ministren aktuale të Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, por prej disa vitesh janë të divorcuar.