Kreu i Kuvendit, Ilir Meta replikoi ashpër sot me kreun e LIBRA-s, Ben Blushi, i cili akuzoi sot nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Rama për pagesën e taksës së koalicionit ndaj Metës, me shkarkimin e 4 ministrave.
Në replikë, Kreu i LSI-së e ka quajtur Blushin “të paprovuar” dhe i ktheu reston teksa tregoi se ka ndërhyrë vetëm një herë te Rama dhe pikërisht që ta bënte Blushin ministër. Por më mirë që Blushi nuk u bë ministër, tha Meta, se sipas tij ka një mundësi për të provuar veten në zgjedhje.
“Faleminderit për këtë fjalim historik. Dhe meqenëse në këtë fjalim historik unë u përmenda më shumë se nga politikanët e vjetër, nga një politikan i ri, i sapo ardhur nga një planet tjetër, dua t’i them të gjithë ministrave, kandidatëve për ministra, sot, nesër e përgjithmonë, që e vetmja ndërhyrje që kam tentuar të bëj pranë z.Rama kur është bërë qeveria, është që parafolësi të bëhej ministër. Por ndoshta mirë është bërë, që nuk u bëre ministër sepse Shqipëria ka një alternativë të re, një shpresë të madhe, një njeri të paprovuar asnjëherë. Ka të drejtë të kërkojë të votohet dhe të besohet”, tha Meta.
Ajo çka nxiti reagimin e ashpër të Metës, ishte deklarata e Blushit i cili e komentoi lëvizjen e ministrave të kabinetit Rama me fjalët:“Hoqi një buzëkuq, vuri një rimel”, duke shtuar se Rama i shiti ministrat e tij në tregun e koalicionit duke paguar kësisoj “taksën” për kreun e LSI-së.





