Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ironizuar një aktivitet të Partisë Socialiste në Çorovodë, duke deklaruar se skraparlinjtë “janë njësha përgjithmonë” dhe jo pesës, që “është sa për të kaluar klasën”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se pjesa më e madhe e sallës ku u mbajt takimi i PS-së ishte e mbushur me “jabanxhinj shëtitës”, ndërsa etiketoi si “ufo” përfaqësuesin socialist që, sipas tij, nuk dha asnjë shpjegim për projektet e mbetura pezull në zonë.

“Dëgjuam nga ‘ufo’ se do t’i fuste në Europë, por nuk u tha asnjë fjalë pse rruga Skrapar-Përmet ka mbetur në fshatin Rog apo pse devijoi rrugën e TAP-it që lidhte Skraparin me Korçën,” shkruan Meta.

Ai akuzon qeverinë për shpopullimin e Skraparit gjatë këtyre tetë viteve dhe zhdukjen e fondeve për bujqësinë e blegtorinë, përfshirë edhe ato të Bashkimit Europian, të cilat, sipas tij, kanë përfunduar te inceneratori “fantazmë”.

Në vijim të ironisë, Meta thotë se PS kërkon votën për numrin 5, por skraparlinjtë e dinë që “pesë është sa për të kaluar klasën”. Ai premton se Skrapari do të ketë 3 deputetë të sigurtë nga Partia e Lirisë, duke përmendur veten, Dr. Zija Ismailin dhe Lefter Maliqin.

“Përshëndes popullin e Skraparit që u çlodh sot me fjalimin argëtues të ‘ufo’-s nga Tirana dhe të mos harrojë dëmet që i janë shkaktuar. Më 11 maj, ta shpërblejnë me votën për Numrin 1,” përfundon Meta.