ELBASAN, 18 shkurt 2013– Kryetari i LSI-së Ilir Meta vijon të theksojë domosdoshmërinë e bashkëpunimit politik në të mirë të integrimit evropian të vendit. Gjatë një takimi me elektoratin në Elbasan, Meta u shpreh kundër deklaratave nacionaliste të cilat jashtë shtuar dukshëm kohët e fundit nga drejtuesit e partive politike, duke nënvizuar se patriotizmi më i mirë është puna e përbashkët dhe konkrete për integrimin në BE. 

“Në garën e sotme për të konsumuar pa hesap retorika boshe nacionaliste, ne u themi të gjithëve se patriotizmi më i mirë nuk është të merremi me të kaluarën, por të punojmë realisht dhe konkretisht për integrimin evropian të Shqipërisë. Vetëm kjo rrugë e lartëson dinjitetin e shqiptarëve. Shqipëria duhet të jetë një shembull pozitiv për të gjithë shqiptarët në rajon. Kombi më i copëtuar dhe më fatkeq nga lufta e ftohtë dhe nga perdja e hekurt ishte kombi ynë. Kombi më fatlum nga era e re e integrimeve evropiane është kombi ynë prandaj të ecim në drejtimin e duhur, të ecim më shpejt.”- u shpreh Meta. 

Ndërsa shprehu respektin tij për popullin elbasanas, kreu i LSI-së Ilir Meta shprehu besimin e tij për suksesin e partisë që drejton në zgjedhjet e 23 qershorit në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë. 

“Në muajt që vijnë kjo gjeneratë do të përjetojë realizimin e një ëndrre të madhe, atë të bashkimit të Elbasanit me Tiranën. Duke ju falënderuar të gjithëve për këtë mbështetje, dua të shpreh bindjen time se LSI me këtë solidaritet dhe me këtë proces hapje dhe rritje të pandalshme do të dijë jo vetëm të fitojë me merite në 23 qershor në Elbasan, por do të dijë ta kthejë këtë përkrahje në zhvillim, punësim për qytetarët e Elbasanit.”- u shpreh kryetari i LSI-së. 

.