Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kallëzim penal pranë SPAK ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas kallëzimit, Meta pretendon se gjatë mbi 14 muajve në paraburgimin “Jordan Misja”, ku ndodhet që prej 23 tetorit 2024 me masë sigurimi “arrest në burg”, i janë mohuar në mënyrë të qëllimshme dhe të vazhdueshme të drejta themelore dhe politike.

Ai thekson se autoritetet penitenciare i kanë ndaluar komunikimin me median dhe gazetarët, takimet me deputetë të Kuvendit, eurodeputetë dhe strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë, si edhe ushtrimin e aktiviteteve politike dhe publike.

Në kallëzim thuhet se këto kufizime nuk janë mbështetur në vendime individuale të arsyetuara dhe nuk justifikohen nga ndonjë rrezik konkret për procesin penal, duke marrë karakter ndëshkues dhe diskriminues.

Një element kyç i kallëzimit është edhe qëndrimi i Avokatit të Popullit, i cili pas një hetimi administrativ ka konstatuar diskriminim, persekutim politik dhe shkelje të lirive personale e politike, duke i rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve marrjen e masave korrigjuese. Sipas kallëzuesit, këto rekomandime nuk janë zbatuar.

Meta argumenton se sjellja e Drejtorisë së Burgjeve bie në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke iu referuar edhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut për raste të ngjashme me liderë opozitarë në paraburgim.