Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”. Sipas Presidentit, ky ligj i miratuar nga Parlamenti në seancën e 8 majit, ka disa paqërtësi në nenin 2, pika 2/b; neni 9 pika 1, 2; 12 pika 1; nenet 58-60; neni 59, pika 4, si dhe neni 88, pika 1, 2. Për këtë arsye, kreu i shtetit ia ka kthyer Kuvendit për të rishqyrtuar këto pika.
“Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” me Kushtetutën, me kuadrin ligjor në fuqi që lidhet me fushën e shërbimit përmbarimor gjyqësor, si dhe praktikën parlamentare jo vetëm të miratimit të këtij ligji, por dhe dokumenteve parlamentare të analizës dhe vlerësimit të gjendjes së profesioneve të lira në tërësi dhe planit të veprimit, dokumente këto të hartuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë dhe të pranuara nga komisioni i posaçëm parlamentar në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë”, thotë Presidenti në dekretin e tij për kthimin pas të këtij ligji, ku ka renditur edhe 5 arsyet përse ka marrë këtë vendim.





