POGRADEC, 11 maj 2013– Ditën e sotme kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë gjatë në qytetin e Pogradecit, për të prezantuar kandidatët e kësaj partie. Gjatë fjalës së tij, Meta ka thënë se LSI ka lindur si një forcë për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në BE. Ndaj, tha ai, shqiptarët duhet të votojnë për fuqizimin e LSI-së.
Meta nuk ka lënë pa sulmuar edhe mazhorancën dhe kryeministrin Berisha, duke thënë se ai flet me yjet, jo me njerëzit.
“Pogradeci dhe Shqipëria ka nevojë për një LSI akoma më të fuqishme, dhe ja ku është për të marrë përgjegjësi të reja, për të garantuar ecjen më të shpejtë të vendit drejt BE. LSI është krijuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për t’i garantuar vendit ecjen më shpejt drejt integrimit evropian.
Pogradeci dhe Shqipëria nuk meritojnë këtë stanacion nga politika e ndarjeve dhe konflikteve, nuk meritojnë parlamentin që heton veshin por nuk u vë veshin halleve të qytetarëve. Vendi ka nevojë për një mazhorancë të re, një qeveri realiste që u flet njerëzve dhe jo yjeve në qiell. Jam i bindur se shqiptarët mes dy korsive për të ecur do zgjedhin jo korsinë imagjinare, por korsinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane për të cuar përpara zhvillimin e vendit.
Ne do ti japim fund politikës së sukseseve imagjinare për të kthyer sytë te problemet reale që ka vendi. Flitet për sukses në bujqësi, aq sa në një konventë të PD dëgjuam një zotëri të nderuar që ishte programuar të thoshte se falë PD ishim bërë nga 100 lopë me 200. Programi ynë është ai që do i japë zhvillim më të shpejtë bujqësisë në Pogradec, ku fermerët do bashkojnë ngastrat e tyre dhe do bëhen aksionerë. Ne synojmë shumëfishimin e granteve dhe rritjen e subvencioneve me interesa të buta që të shtojmë fermat dhe rrisim punësimin” tha Meta.





