Kryetari i Partisë së Lirisë ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë e partisë.
Meta theksoi se PL është në një betejë të jashtëzakonshme për të vendosur parlamentarizmin në “shinat e duhura”.
Ai shtoi se kjo forcë politike ka marrë përsipër shumë nisma ligjore, por se disa prej tyre janë bllokuar nga “Rilindja”.
Meta: PL është në betejë të jashtëzakonshme për të vendosur parlamentarizmin në shinat e duhura.
Jemi forcë politike që ka paraqitur shumë nisma ligjore në interes të qytetarëve, sipërmarrësve, dhe shumë iniciativa të tjera të cilat mbahen të bllokuara nga banda e Rilindjes.
Arsyeja dihet, PL si forcë e përkushtuar për integrimin e në BE, cënon interesat e Rilindjes, që vetëm integrimin nuk e ka prioritet.
Ish-Presidenti beson se opozita do të arrijë një rezultat spektakolar në 14 maj, ndërsa theksoi se sirenave të dëshpërimit do t’i përgjigjen me optimizmin e popullit të lirisë.
Ata të cilët nuk mbajnë asnjë premtim para popullit dhe e kanë zgjedhur si të vetmen rrugë intimidimin, frikësimin dhe bullizimin janë në panikun e humbjes që i pret, sipas tij.
Meta tha se Rilindjes do t’ia japin përgjigjen jo vetëm në 14 maj por edhe më parë nëse do të jetë nevoja.