TIRANE, 4 qershor 2013 – Kreu i LSI-së, Ilir Meta shpalosi përpara studentëve shqiptarë të diplomuar jashtë vendit programin e partisë së tij.
Meta bëri thirrje konkurrenteve politikë ti japim fund deklaratave populiste për ekonominë dhe të bazohen në projekte konkrete dhe reale.
"Po të vijohet me politika populiste dhe jo realiste situata do të përkeqësohet dhe treni do jetë negativ, ndaj LSI synon të tërheqë vëmendjen e gjithë aktorëve politikë, ekspertë të shoqërisë civile qytetarëve dhe votuesve se ne duhet të vendosim objektiva strategjike për të ardhmen në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomie më të lartë dhe të qëndrueshme si rruga më e mirë për të garantuar një punësim të sigurtë dhe afatgjatë. Ekonomi që jo vetëm që prodhon, por dhe eksporton. Remitancat e emigrantëve tanë në rënie drastike dhe kjo krijon problem të madh dhe disbalancim serioz, duke ulur importet dhe rritur eksportet", u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së, kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit Berisha se tregu dhe infrastruktura janë zgjidhje e cdo problemi. sipas tij vendi ka nevojë për ndarjen e tri pushteteve. Kreu i LSI-së shprehu shqetësimin e emërimeve partiake, teksa premtoi se gjendja do marrë fund me rotacionin politik që do të ndodhë më 23 qershor.





