TIRANE, 6 qershor 2013 – Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi sot forumin ekonomik me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për punësim të sigurt”.

Në këtë forum, ku ishte i pranishëm një panel shumë i spikatur, mori pjesë Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, si dhe nderonte me praninë e tij një nga këshilltarët kryesorë të qeverive “Laburiste” në Britaninë e Madhe, këshilltar ekonomik dhe i politikave sociale i Tony Blair, gjithashtu edhe këshilltar i Gordon Brown, aktualisht profesor në Universitetin e Oksfordit, Patrick Diamond. 

Lëvizja Socialiste për Integrim konsideron se Shqipëria ka nevojë për një ristrukturim afatgjatë të modelit ekonomik, duke e orientuar atë drejt prodhimit.

Gjatë fjalës së tij në forum, kryetari i LSI-së, Ilir Meta theksoi rëndësinë që e gjithë politika e taksave në vend të vihet në funksion të shndërrimit të ekonomisë, nga ekonomi konsumi në ekonomi prodhuese, që sipas tij, do të krijojë mundësi edhe për hapjen e vendeve të reja të punës. 

“Të kemi një ekonomi që prodhon, të ulim importet dhe të kemi mundësi të rrisim eksportet. Remitancat janë në rënie, që kanë qenë burimi kryesor i financimit të ekonomisë. Probleme të tjera që kanë të bëjnë me taksat. Për ne e para është që në të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë për ekonominë e vendit, nga një ekonomi konsumi në ekonomi të orientuar drejt prodhimit. E gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të hapen vende të reja pune. Sa i takon tregut. Absolutisht për ne avantazhet e një ekonomie që bazohen tek tregu i lirë duhet të shoqërohen me rolin rregullator të qeverise, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të përfitojnë.”- deklaroi Meta. 

Sipas Metës, debatet e fushatës elektorale për ekonominë po tregojnë se çështjet trajtohen thjesht për përfitime elektorale. 

"Debatet që ne po ndjekim në fushatë tregojnë për një konkluzion, është një mungesë qartësie dhe trajtim i çështjeve thjesht për përfitime të shpejta elektorale. Duke mos dhënë një strategji të qartë që të garantoje se si Shqipëria të mos shkojë drejt recesionit. Kemi shume kambana të cilat kërkojnë një kthjelltësi dhe orientim të shpejtë, për një ristrukturim afatgjatë të modelit tonë ekonomik”- deklaroi Meta.