Pas përfshirjes së inteligjencës artificiale në platformat e saj kryesore në Evropë – si Instagram, Facebook, Messenger dhe WhatsApp – kompania Meta po përgatitet të ndryshojë kushtet e shërbimit që lidhen me mënyrën se si përdoren të dhënat e përdoruesve evropianë.
Duke nisur nga kjo javë, përdoruesit do të njoftohen brenda aplikacioneve dhe përmes emailit lidhur me mënyrën sesi të dhënat e tyre publike do të përdoren për të përmirësuar inteligjencën artificiale të kompanisë, Meta AI. Përdoruesve do t’u ofrohet gjithashtu mundësia për të kundërshtuar këtë përpunim të të dhënave përmes një formulari të dedikuar.
Meta ka paralajmëruar një periudhë tranzitore, gjatë së cilës do të informojë të gjithë përdoruesit për ndryshimet përpara se të nisë mbledhjen aktive të të dhënave. Me “të dhëna publike” nënkuptohen postimet që janë të dukshme për të gjithë, ndërsa postimet private apo të kufizuara nuk do të përdoren për trajnim.
Përjashtim bëjnë disa elementë të pashmangshëm publikë, si emri i përdoruesit, fotografia e profilit dhe ajo e kopertinës, si dhe postimet në grupe apo faqe. Po ashtu, Meta do të përdorë të gjitha ndërveprimet që përdoruesit në BE kanë me Meta AI në Facebook, Instagram dhe Messenger. Ndërkohë, bisedat në WhatsApp nuk do të përfshihen në këtë proces trajnimi.
Kompania thotë se kjo qasje është në linjë me praktikat e ndjekura nga kompani të tjera si Google dhe OpenAI, të cilat tashmë përdorin të dhënat e përdoruesve për të përmirësuar sistemet e tyre të inteligjencës artificiale.
Sipas Meta-s, qëllimi është të zhvillohet një inteligjencë artificiale që reflekton më mirë kulturat, gjuhët dhe historitë e ndryshme të Evropës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nismë lidhet edhe me nevojën gjithnjë në rritje të kompanive teknologjike për përmbajtje “cilësore” të krijuar nga njerëzit, ndërsa burimet e të dhënave nga interneti po shterojnë.
Në deklaratën e saj, Meta thekson se ka pritur për afro 12 muaj për të bërë këtë hap, dhe se ky zhvillim është bërë i mundur falë qartësisë së ofruar nga autoritetet mbikëqyrëse të BE-së, përfshirë Komisionin Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave.