PËRMET-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar takime të ndryshme me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Qarkun e Gjirokastrës.

Në takimin e zhvilluar në Përmet 200 anëtarë të rinj i janë shtuar radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.Meta i ka bërë apel klasës politike tëtë ngrihet në nivelin e qytetareve dhe të mos bllokojë integrimin e vendit për interesa të afërta elektorale. Sipas Metës, sfida e LSI është konfirmimi i vullnetit të popullit për të përshpejtuar rrugën e integrimit. 

“Duhet me kohë ta kishim fituar statusin e vendit kandidat që prej vitesh. Është mungesë e vullnetit politik që ka sjellë këtë ngërç të pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët treguan si askush tjetër që janë në nivelin e marrjes së përgjegjësive dhe të respektimit të marrëveshjeve që bëhen me Europën. E treguan më së miri me liberalizimin e vizave. Nëse sot ka shqetësime në Bashkimin Europian për qytetarët e vendeve të caktuara të Ballkanit që nuk i respektojnë këto detyrime, këto nuk janë për qytetarët shqiptarë, këto janë për qytetarët e vendeve të tjera. Është momenti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve tanë, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale. Shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributin që jep gjithsecili për zhvillimin dhe progresin e vendit, do të dinë, edhe të ndëshkojnë pengesat që gjithsecili vendos në mënyrë të padrejtë ndaj vendit dhe gjithë qytetarëve tanë”, tha Kryetari i i LSI-së. 

Meta: Patriotizëm do të thotë të shpejtosh proceset integruese

TEPELENE-Ndërkohë që në takimin që u zhvillua në qytetin e Tepelenës, Lideri i LSI-së foli edhe mbi deklaratat e fundit nacionaliste të bërë nga politikanë të ndryshëm shqiptarë. Meta tha se patriotizëm do të thotë të ngrihesh mbi interesat e tua për interesat e vendit dhe do të thotë të ndihmosh shpejtimin proceseve integruese të vendit sepse ky është interes i gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. 

Sipas tij avancimi i Shqipërisë drejt BE-së ndihmon dhe inkurajon edhe Kosovën, edhe shqiptarët kudo ku ndodhen për një pozitë më të mirë që do ta fitojnë nëpërmjet avancimit të këtyre procese në vendet ku ata jetojnë. 

“Lidhur me nacionalizmin, patriotizmin dhe çështje të tjera si këto nuk dua të flas gjatë këtu sepse tepelenasit e kanë treguar në të gjithë historinë e Shqipërisë patriotizmin e tyre që është i rrallë dhe që ka qenë një vlerë e jashtëzakonshme jo thjesht për këtë krahinë por për mbarë vendin dhe për mbarë kombin tonë. Sot patriotizëm do të thotë të ngrihesh mbi interesat e tua për interesat e vendit. Sot patriotizëm do të thotë të ndihmosh shpejtimin proceseve integruese të vendit sepse ky është interes i gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. Avancimi i Shqipërisë drejt BE-së ndihmon dhe inkurajon edhe Kosovën, edhe shqiptarët kudo ku ndodhen për një pozitë më të mirë që do ta fitojnë nëpërmjet avancimit të këtyre procese në vendet ku ata jetojnë. Një Shqipëri me një status tjetër në Bashkimin Europian është një Shqipëri më e respektuar se sa sot nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, i dëgjohet më shumë zëri sesa sot. Jo vetëm kaq por është një Shqipëri më e sigurt dhe më tërheqëse për investitorët evropianë dhe më gjerë. Njëkohësisht është një Shqipëri që frymëzon më shumë të rinjtë tanë jo vetëm për të jetuar në Shqipëri por për ta parë të ardhmen e tyre si të ardhme evropiane në vendin e tyre. Ndaj ne do të vazhdojmë me këtë mesazh,-  tha Meta.