DURRËS, 14 qershor 2013 – Në një takim elektoral në qytetin e Durrësit, lideri i LSI-së, Ilir Meta ka theksuar se 23 qershori është shumë i rëndësishëm, fitorja duhet të jetë sa më solide pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të bëhen reforma sa më solide për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

“Vota për LSI-në është një votë e mençur sepse është votë për zhvillimin e vendit. LSI ka programin më të qartë sepse programi i saj synon ristrukturimin e ekonomisë që ekonomia të rritet, duke identifikuar qartë burimet e kësaj rritjeje ekonomike, në mënyrë të veçantë rritjen e prodhimit vendas që të ulen importet dhe të rriten eksportet dhe të garantohen vende pune të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Besoj se programi i LSI është programi më i qartë. Është një program i cili ka kapur thelbin e problemeve që ka vendi dhe thelbi kryesor me të cilin ndeshet shoqëria jonë është ristrukturimi i ekonomisë në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe kjo vjen vetëm duke mbështetur prodhimin, duke ulur importet dhe duke rritur eksportet dhe nga gjithë kjo politikë padyshim do të përfitojë shumë porta kryesore e Shqipërisë në marrëdhënie me Evropën që është qyteti i Durrësit.

Të gjitha politikat tona synojnë drejt rritjes së punësimit. Të jeni të sigurt që ne kemi një mundësi të shkëlqyer, bazuar dhe në programin tonë të punësimit, sidomos të krijimit të parqeve industriale që, në këto momente kur investitorët italianë duan të largohen nga vende të ndryshme të Evropës si pasojë e rritjes së madhe të taksave, të tërheqim shumë prej tyre duke u krijuar lehtësirat në Shqipëri, duke i përjashtuar edhe nga taksat për pesë vite, vetëm me një qëllim, që të rrisim vendet e reja të punës në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Meta.