Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.
Kreu i Shtetit vlerësoi duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatave dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore. Presidenti tha se drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore dhe nxiti drejt kërkimit të së vërtetës, duke përmendur procedurat e lustracionit, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e viktimave të komunizmit.
“Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.
Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqendrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.
Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor”, tha Meta.
Ai u shpreh se kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.





