TIRANE, 29 mars 2013– Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë, Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim në këtë njësi. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi më 23 qershorit qytetarët shqiptarë do votojnë LSI-në sepse ata duan të ecin më shpejt dhe e kuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin e LSI-së. 

“Të gjithë shqiptarët duan të ecin më shpejt dhe njëkohësisht sepse ne në dallim nga të tjerët nuk i drejtohemi yjeve, por u drejtohemi njerëzve. Unë kam besim të plotë se ata e mirëkuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin tonë dhe e kanë të qartë se ne nuk bëjmë fushatë me ta por se ne i ndjejmë realisht problemet e tyre dhe jemi të angazhuar për t’i zgjidhur ato”, u shpreh z. Meta. 

Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve e 23 qershorit do të ketë një peshë shumë më të madhe në qeverisjen e ardhshme, në Parlamentin e ardhshëm. 

Meta tha se për koalicionet e ardhshme do të vendosi konventa e LSI-së, por sipas tij e rëndësishme është që pas 23 qershorit LSI do të ketë më shumë peshë në qeverisjen e ardhshme, në parlamentin e ardhshëm sepse është një parti me këmbë në tokë dhe e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë qytetarët. 

“Lidhur me çështjen e koalicioneve, kjo është një çështje që do të vendoset nga forumet e LSI-së dhe normalisht nga konventa e saj, por duhet të kemi parasysh se nuk votohet për koalicionet, votohet për partitë. Pra kudo që të jetë LSI-ja, votohet për LSI-në, apo votohet për PD-në apo për PS-në apo për PBDNJ-në, pra nuk votohet për koalicionet. Ndaj edhe ne jemi shumë të qetë sepse jemi të angazhuar se të gjithë votuesit tanë të jenë të qartë për këtë gjë dhe në kohën e duhur do të merret edhe vendimi i duhur. Por një gjë është e padiskutueshme, LSI-ja vendos shumë më tepër se sot në qeverisen e ardhshme në Parlamentin e ardhshëm. Kjo është një gjë e mirë për vendin sepse LSI është një forcë politike me këmbë në tokë, nuk është një forcë e prirur për aventura, për konflikt dhe është një forcë e angazhuar për të zgjidhur problemet kryesore që kanë qytetarët tanë”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me Shtabin Elektoral të LSI-së në Njësinë nr.2 në kryeqytet, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. 

Duke analizuar funksionimin e strukturave Z. Meta deklaroi se janë të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat historik. “Do ta arrijmë patjetër, në mënyrë që të jemi edhe më përcaktues për të ndihmuar të ardhmen e vendit dhe të çdo qytetari shqiptar që të jetë më e sigurt. E ardhmja e tyre tronditet sa herë që politikanët për arsye të fushatave dalin nga realiteti dhe për hir të stresit që kanë për zgjedhjet dhe të rezultatit të tyre janë gati të bëjnë çdo lloj deklarata apo të nxisin çdo lloj fryme konfliktuale”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. 

Është për të ardhur keq kur dëgjon edhe ndonjë deklaratë se nuk miratohet ky ligj për Gjykatën e Lartë apo se nuk duhet të ndërtohet Gjykata Administrative sepse ajo mund të jetë një thertore tjetër për biznesin. Kjo është njësoj sikur të themi se nuk duhet të ndërtohet një autostradë e re Tiranë-Rrogozhinë, që qytetarët të ecin më shpejt, sepse do të ndodhin aksidente. Është koha që të gjithë të marrin përgjegjësi reale dhe të kontribuojnë për një fushatë sa më pozitive”, tha ai. 

Z. Meta tha se këtu edhe dallimi i LSI-së është shumë i qartë me gjithë të tjerët. “Ne ishim të parët që ngritëm problemin tepër serioz të rimbursimit të TVSH-së bizneseve, sepse në çdo biznes që të shkosh një ndër shqetësimet kryesore është që nuk rimbursohet TVSH-ja sipas ligjit dhe në kohën e duhur”.