PESHKOPI, 3 qershor 2013  – Kryetari i Lëvizjes Sociale për Integrim vlerësoi sot nga qyteti i Peshkopisë që dibranët të zgjedhin duke vlerësuar të shkuarën dhe parë drejt së ardhmes.

Sipas Ilir Metës, qeveria nuk mbajti asnjë premtim që u dha dibranëve ndaj ka ardhur koha për rrotacion. 

“Malet e Dibrës janë plot më ujë por në çezma nuk ka ujë. Ka ardhur koha që dibranët t’i japin ujë me bisht të lugës Berishës dhe jo vota. Për të mos folur për rrugën e Arbrit që flitet e përflitet nga qeveria sa herë që duhet vota. Është koha që Dibra të futet në rrugën e ndryshimit dhe dibranët kanë nevojë për një reflektim të thellë në emër të së ardhmes. Dje takova shumë të rinj që kishin shumë energji dhe që nuk kishin ku ti investonin. Ndaj është koha për rrotacion për ndryshim për të ardhmen e fëmijëve tuaj për ndryshime të fuqishme që i bëjnë realitet brenda mandatit të ardhshëm. Do ndërtojmë dhe Rrugën e Arbrit që kjo të mos mbetet një legjendë”.