Kreu i LSI kërkon rritjen e prodhimit vendas dhe shtimin e eksporteve
SHKODER, 1 qershor 2013 – Gjatë takimeve elektorale në Shkodër dhe fshatrat Kosmaç, Postribë dhe Rrethina, kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se biznesi duhet të jetë një partner i rëndësishëm i qeverisë, për të krijuar vende të reja pune. Duke folur për një situatë ekonomike kaotike, Meta tha se vendit i duhet një model i ri, në të cilin i kushtohet rëndësi prodhimit dhe eksportit.
“Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ato që janë bërë në radhë të parë janë kontributi i të gjithë taksapaguesve shqiptarë që paguajnë për buxhetin e shtetit. Gjithsesi, gjërat duhen bërë shumë më ndryshe, tha z. Meta. Ndaj unë besoj se duke ecur në këtë drejtim duke mbështetur më shumë bujqësinë, industrinë agro-përpunuese, duke stimuluar bizneset për të hapur vende të reja pune do të kemi mundësinë të zgjidhim shumë probleme të këtyre zonave të zhvillojmë ekonominë e vendit, të rrisim prodhimin, të rrisim eksportet, sepse një ekonomi që nuk eksporton është një ekonomi që shkon drejt falimentimit. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por kërkon një qeveri me këmbë në tokë dhe me vullnetin për t’i parë të gjitha këto probleme që ju ndeshni çdo ditë. Ndaj unë ju ftoj të përkrahni LSI dhe kandidatët tanë, Agron Çelën, Nora Malajn dhe të gjithë ekipin”,- ka deklaruar Meta
Më herët, Kryetari i LSI-së zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ish-ushtarakë dhe u njoh me problematikat që ka kjo kategori. Më tej Meta, pati edhe një takim në me gra dhe vajza simpatizante të LSI-së së qytetit të Shkodrës.





