Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka bërë thirrje Xhafës të jetë i pranishëm në Konferëncën e kryetarëve. Menjëherë pas kësaj në Kuvend ka mbërritur Ruçi dhe Xhafa, Shalsi dhe Leskaj.
“I kam kërkuar Xhafës që të bëjë mbledhjen e komisionit për të reflektuar marrëveshjen e arritur me ndërkombëtarët por për habi kjo mbledhje nuk është bërë duke sjellë këtë situatë. Xhafa dje ka bërë një deklaratë dhe disa insinuata ndaj duhet të vijë këtu me të gjithë ekspertët që patën kohë të dalin publikisht kur i ftova, sepse historia e telefonit të prishur me reformën nuk mund të bëhet. Kam kërkuar transparencë që në fillim dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pasi ambasadori amerikan me të drejtë i kërcënoi dy liderët më të mëdhenj të Shqipërisë. Kam kërkuar takim me të gjitha palët dhe kjo nuk ka ndodhur. I bëj thirrje zotit Xhafa të vijë këtu sepse boll janë dëmtuar procedurat parlamentare për këto ndryshime kushtetuese”.
Me mbërritjen e Xhafës ka shpërthyer një debat midis tij dhe Metës, ku kryeparlamentari i tha: Pse nuk e mblodhe mbrëmë Komisionin, siç të kisha urdhëruar?
“Ule zërin, deri tani kemi dëgjuar parullën tënde ‘Me qetësi e dashuri”, por tani dashuria ka ikur, tani të rrijë qetësia. Kryetari i Kuvendit duhet të ketë respekt për kuvendin. Kam dëgjuar e dëgjoj me vëmendje gjithçka që thuhet nga karrigia juaj. Komisionin e kam mbledhur rregullisht gjatë gjithë kësaj kohe, konform rregullores, PD ka bojkotuar komisionin rregullisht. Nuk marr urdhra për mbledhjen e komisionit”, është shprehur Fatmir Xhafaj.





