Akademia e Shkencave ka reaguar një ditë pasi presidenti Ilir Meta refuzoi emërimin e SkënderGjinushit në krye të këtij institucioni.
Në një deklaratë zyrtare, ASH bën me dije se do të mbledhë asamblenë e saj për t'i kërkuar kreut të shtetit të shqyrtojë edhe njëherë këtë vendim.
Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 daë 11.07.2019 konstatoi:
Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë.
Vendosi të mbledhë Asamblenë e ASH, për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t'i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019.





