Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar se nuk është penduar për koalicionin me PS në 2013.

Në një intervistë për emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, Meta tha se pas tre viteve bashkëqeverisje mund të flitet vetëm për reflektim në funksion të vetëpërmirësimit.

Meta ka folur edhe për reformën në drejtësi dhe zërat në media për kërcënim me burg ndaj tij.

Kreu i LSI ka theksuar edhe njëherë se nuk beson se kanë lindur ata njerëz që mund të kenë një guxim të tillë për ta shantazhuar.

Pjesë nga intervista

Çim Peka: Fatmir Xhafaj, deputet i Partisë Socialiste arrin në konkluzionin se tashmë Ilir Meta ka qetësinë por jo dashurinë për Partinë Socialiste. Cilat janë raportet e Ilir Metës, e LSI-së me Partinë Socialiste pas tre viteve bashkëqeverisje. Pyetja është mjaft konkrete z. Meta, a jeni penduar për koalicionin e 2013?

Ilir Meta: Unë nuk jam nga ato që pendohen për atë që bëjmë. Unë jam nga ata që reflektojnë dhe gjithnjë me kërkesa për t’u vetëpërmirësuar. Po flas si politikan, por kjo është një kërkesë edhe ndaj forcës politike ku unë aderojë dhe raportet politike nuk bëhet fjala për qetësi dhe për dashur. Bëhet fjala për partneritet, për marrëveshje. Slogani im “Me qetësi dhe me dashuri” është në momentet kryesisht konfliktuale kur mendojë që nxitimi nuk është këshilltari më i mirë për zgjidhjet më të mira.

Çim Peka: Z. Meta ju jeni parti qeverisëse, pavarësisht nga numri i Ministrave. Qeveria juaj dhe e PS, a mund të thoni çfarë ka bërë pozitive gjatë këtyre tre viteve, negative do të radhis unë pafund. Ose po e fillojmë me negativet. Nuk jeni penduar kur menduat se e morët Shqipërinë vetëm me Lazaratin e hashashit dhe sot i vetmi vend ku s’ka hashash është Lazarati? Nuk jeni penduar z. Meta kur nuk perceptohej deri në vitin 2013 vjedhja e bankave, por sot është gjëja më normale edhe në metropol? Nuk jeni penduar z. Meta kur deri në vitin 2013 kishte policë apo punonjës të KESH-it që merrni leje për të mbledhur fatura, ndërsa gjatë këtyre viteve janë as më shumë e as më pak rreth 38 mijë të ndaluar nga policia e shtetit? Nuk jeni penduar z. Meta që në tre vjet qeverisje nuk mbahet apo nuk thuhet për një kilometër rrugë të re? Nuk jeni penduar z. Meta që në tre vjet numri i papunësi jo që nuk është 300 mijë, siç është premtuar, por papunësia është rritur dhe numri i azilantëve shqiptarë në Gjermani është në vend të dytë pas Sirisë? Këto nuk janë të mjaftueshme jo vetëm për të reflektuar, por për të thënë se jam penduar për këtë qeverisje?

Ilir Meta: Jo unë kam ardhur këtu me kënaqësi pasi kishim një kohë të gjatë pa u takuar dhe pa qenë ballë për ballë në një studio, por natyrisht kam ardhur i ndërgjegjshëm në një gazetar i vendosur opozitar, por sigurisht që kam ardhur edhe në kuadër të kësaj klimës për konsensus që e kam promovuar kaq shumë dhe që për mua vijon sepse çështjet që kemi……

Çim Peka: Nuk ka lindur akoma ai burrë që ju shantazhin. Gjithsesi në historinë tuaj politike, ish-presidenti Berisha, ose Partia e ish-presidentit Berisha, ka tentuar t’ju heq mandatin dhe të arrestoheni në fillimet tuaja politike…

Ilir Meta: Më është hequr imuniteti. Kam qenë i pari deputet opozitar, dhe një nga arsyet që kam edhe konsideratë për “doktorin” është se më ka trajnuar në një moshë fare të re për t’u përballur me këto presione. Dhe jo vetëm kaq. Mund t’ju them juve, për të herë të parë se kolegu im deputet, për shembull, Leontiev Çuçi në emër të udhëheqjes të asaj kohe më ka sugjeruar për të ikur në Greqi apo në Itali për tu marrë në mbrojtje nga PASOK-ku, Partia Socialiste Italiane, për të shmangur atë arrestimin apo pasojat që mund të vinin nga një çështje e tillë. Dhe unë nuk kam pranuar sepse më është dukur tërësisht absurde për t’ju shmangur një drejtësie qoftë edhe aq politike sa mund të ishte edhe drejtësia e doktorit. Kështu që këto janë gjëra të cilat mund të vlejnë me të cilin do tjetër, por jo me mua.

Çim Peka: Z. Meta a është shantazhuar kreu i LSI me burg, qoftë nga diplomatë të huaj, qoftë nga Kryeministri i vendit. Mediat raportojnë çdo ditë për një gjë të tillë?

Ilir Meta: Nuk besoj, edhe një herë tjetër, se vërtet kanë lindur ata njerëz që mund të kenë një guxim të tillë. Po kështu nuk është ndonjë sekret që indirekt vazhdimisht është përmendur, apo është pëshpëritur se kjo reformë bëhet kundër këtij, kundër atij, dhe nuk është ndonjë sekret që është thënë që është bërë edhe kundër Metës. Ndërkohë që Metën këtu e kanë dhe do ta kenë gjithmonë qytetarët shqiptar pasi Meta nuk e ka në plan të iki të jetoj në ndonjë ishull apo as në ndonjë vend tjetër. Ka vendosur të jetë jetojë këtu në Shqipëri dhe të ndajë çdo gëzim dhe çdo vështirësi me qytetarët e këtij vendi. /Ora News/