TIRANË, 12 mars 2013– Kreu i LSI-së, Ilir Meta mbështet qëndrimin e kryeministrit të vendit Sali Berisha për uljen e moshës së votimit deri në 16-vjeç. Duke iu përgjigjur interesit të mediave pas takimit me përfaqësuesit e OHDIR, Meta vlerëson se për një hap të tillë duhet më parë konsensusi i palëve.
“LSI mendon se 16-vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për arsye se ata e kanë të gjithë informacionin e duhur për të bërë vlerësimin dhe gjykimin e duhur. E dini se LSI është e para forcë politike që ka ndryshuar statusin për ti dhënë të drejtën e votës kësaj moshe, por duhet konsensusi i palëve për të realizuar këtë gjë, por edhe nëse konsensusi nuk do gjendet për momentin në të ardhmen 16-vjeçarët do kenë një rol më të madh se sot”, the Meta.
Duke komentuar pritshmëritë e misionit vëzhgues të OHDIR, i cili nisi sot axhendën e takimeve në Tiranë, Meta vlerësoi angazhimin e OHDIR për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke shprehur gjithashtu angazhimin e partisë që drejton për zgjedhje të standardeve më të larta evropiane.
“Ne mirëpresim angazhimin e OHDIR dhe vlerësuam gjithë punën që është bërë dhe synon të realizojë në të ardhmen për të garantuar një transparencë maksimale të vëzhgimit të zgjedhjeve, para, pas dhe gjatë ditës së votimit. Ne vlerësuam angazhimin maksimal të LSI për zgjedhje të standardeve më të larta evropiane në 23 qershor dhe janë të gjitha mundësitë. Nënvizuam rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë forcave politike pavarësisht programeve të tyre elektorale për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, shtoi Meta.
Numri 1 i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për koalicionet zgjedhore është treguar i rezervuar, duke nënvizuar se për LSI rëndësi ka bashkëpunimi për miratimin e 3 ligjeve që do i hapnin dritën jeshile Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ndërkohë që e vuri theksin edhe tek bashkëpunimi për një klimë të mirë zgjedhore.
“Sa i takon orientimit të votuesve të gjithë e dimë se nuk votohet për koalicionet, por për subjektin, pavarësisht koalicionit ku ndodhet. Ne jemi të bindur se votuesit tanë janë të orientuar drejt. Sa i takon bashkëpunimit mendojmë se ai duhet shtrirë në të gjitha nivelet dhe bashkëpunimi më i mirë është ai për 3 ligjet, si dhe një klimë të mire për zgjedhjet, për të mos cënuar standardet e tyre, që duhet të jenë më të lartat në Evropë.
“Qëndrimi ynë ka qenë i njohur në mënyrë të qëndrueshme dhe ne do të respektojmë çdo marrëveshje. Ajo që është më e rëndësishme sot është miratimi i tre ligjeve dhe vendosja e një bashkëpunimi imediat që kjo te bëhet në Parlament, pasi cështja e integrimit mund të shtyhet për në kalendat greke”, shtoi Meta.
Meta ka komentuar edhe deklaratën e kryesocialistit Rama për 1 milion të papunë në vend: “Në rast se Rama do e besonte jam i bindur se në programin e tij do të vendoste objektin për të hapur 1 milion vende të reja pune”.