TIRANË – Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në një bashkëbisedim me studentët ka deklaruar se është koha që politika të angazhohet për të parandaluar krimin, duke iu referuar kështu rastit të komisarit të Matit, Musa Skura, i cili humbi jetën sot.
Meta ka deklaruar se Kodi Penal ka mangësi dhe ai duhet të forcohet për të ndëshkuar ata që ndërmarrin vepra të tilla. Kreu i LSI-së deklaroi se partia e tij do të propozojë një paketë ndryshimesh në Kodin Penal.
“Vdekja e Musa Skurës është një ngjarje e rëndë. Përfaqësues të shtetit qëllohen dhe humbasin jetën nga vrasësit. Humbja është e padrejtë dhe e papranueshme. Ky rast na jep përgjegjësi jo vetëm të solidarizohemi me këto humbje, por të parandalojmë humbje të tilla. Kjo është detyra e parë e politikës, të garantojë siguri. Sot kam ngritur një grup pune me ekspertë për të ndërmarrë disa masa për penalizmin e çdo autori që kryen vepra të tilla. Është përgjegjësi e ligjvënësve të rishikojnë disa ligje, pasi për situata të tilla të përsëritura, ligji duhet të ketë fuqinë e duhur të ndëshkueshmërisë. Ne do propozojmë një paketë ndryshimesh në kodin penal, për të cilat do të duhet edhe bashkëpunimi i forcave të tjera politike”,- tha Meta.