Në përvjetorin e vdekjes së Migjenit, presidenti Ilir Meta shprehet se grushti i tij ndaj malit që s’bëzan “është ende një kryesimbol.”.

Presidenti ka kujtuar 82-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit kombëtar, për të cili shkruan se “shqyhen kohërat dhe konstrukton shpresën”.

Ai i referohet thirrjes së Migjenit, “O, si nuk kam një grusht të fortë”, në poezinë “Recital i Malësorit”. Sipas Metës, “mali që s’bzan” i Migjenit është sot demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

“GRUSHTI MIGJENIAN NDAJ MALIT QË S’BZAN ËSHTË ENDE NJË KRYESIMBOL”

Në 82-vjetorin e kalimit në përjetësi të poetit kombëtar, Migjeni, vetëm një personalitet i madh, si i paharruari Moikom Zeqo, mund t’i analizonte kaq mjeshtërisht simbolikat e forta të kryeveprave të Tij:

“O, si nuk kam një grusht të fortë” – kjo thirrje e apostrofuar e Migjenit është e shumëkuptimshme.

Migjeni flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, prapambetje e mendësisë së gurëzuar…

Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëritën servilizmin ritual, duke përdhosur kështu vetveten.

Mali që s’bzan!

Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit…

Grushti Migjenian ndaj malit që s’bzan, është ende një kryesimbol.

Të plogëtit, le të vegjetojnë, në kalbësirën e tyre morale, kundërmuese, sulfurike, fosilizuese, vetëshkatërruese përfundimisht, fatalisht.

Duket sikur Migjeni nuk shkruan thjesht me fjalë. Shqyen kohërat. Kohërat e prapambetjes dhe të vonesave  mendore. Konstrukton shpresën. Për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore”.