Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot në ditën e saj të vdekjes shkrimtaren Musine Kokalari, një nga intelektualet e persekutuara gjatë regjimit komunist në vendin tonë.

Në një postim në Facebook, Meta e cilëson Kokalarin si simbol të rezistencës dhe fuqisë së gruas shqiptare, ndërsa thotë se me idetë e saj frymëzon në çdo kohë për mbrojtjen e demokracisë, lirisë, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.

“Me nderimin më të thellë, përkujtojmë sot simbolin e rezistencës, të intelektuales së mirëfilltë dhe të fuqisë së gruas shqiptare, disidenten e paharruar, patrioten, aktivisten përparimtare sociale dhe politike, Musine Kokalari, që në periudhën më të errët, ndriçoi për të mos u shuar kurrë, me idetë e saj frymëzuese në çdo kohë për mbrojtjen e demokracisë, të lirisë, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.”, shkruan Meta.