SHKODER, 06 mars 2013- – Kryetari i LSI-së Ilir Meta gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës është takuar me gra e vajza, në kuadër të një aktiviteti për festat e 7-8 Marsit.
“Është kënaqësi e vecantë të jem këtu në prag të dy festave të rëndësishme që lidhen me ju 7-8 Marsi. Nuk është vetëm dita e mësuesve por edhe e cdo nëne që edukojnë dhe rrisin fëmijët e tyre me sakrifica, pasi cdo nënë është mësuese. Kënaqësi që jam në Shkodrën e traditave dhe zonjave të nderuara që kanë shkëlqyer e shkëlqejnë në profesionet e tyre”, tha Meta.
Mbështetja e sipërmarrjeve ku punojnë gratë, theksoi kryetari i LSI-së krijon kushte që ato të kontribuojnë për rritjen ekonomike të vendit.
“Pata kënaqësinë të isha në disa sipërmarrje të suksesshme ku punojnë qindra gra e vajza, që kanë nevojë për më shumë mbështetje e që mund të kontribuojnë për rritjen ekonomike. Ne të LSI jeminë krah të tyre, pa fuqizimin ekonomik, pa fuqizimin real të gruas nuk mund të kemi një shoqëri të dretjë, të standardeve evropiane”, shtoi Meta.
Kreu i LSI nënvizoi më tej se, sot kjo forcë politike ndjehet krenare më shumë se kurrë për barazinë gjinore, për rolin që i ka dhënë gruas në politikë.
“ Ka rëndësi që gratë dhe vajzat të mbështesin njëra-tjetrën, nëpërmjet këtij solidariteti të fitojnë rolin që ju takon në familje e shoqëri. Ne krenarë si LSI që kemi hedhur një hap revolucionarizues, që kemi vendosur në forumet e LSI barazinë 50% me 50%. Këtë hap duam ta kthejmë në një realitet për të gjithë shoqërinë. LSI është bindur se pa këtë pjesëmarrje të plotë të vajzës e të gruas ne nuk mund të kemi realitetin evropian që synojmë të gjithë”, vijoi Meta.
Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, Meta u shpreh se gratë dhe vajzat do kenë një pjesëmarrje të gjerë, për t’i shtuar atyre standardet e kërkuara.
“Rezultati i zgjedhjeve është vullneti i lirë e i drejtë i cdo qytetari. Kam parasysh të ardhmen e stabilitetit social e ekonomik, lidhet me mundësitë për të përmirësuar të gjitha standardet sociale. Angazhimi ynë është për ti shërbyer një procesi sa më transparent. Pjesëmarrja e grave në zgjedhje dhe parlament do hapë rrugën për standarte. LSI është në krahun tuaj”, nënvizoi Meta.