Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vlorë këtë të hënë ku ka vizituar disa projekte. Një ndër ta është edhe ai infrastrukturor që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën e Orikumin. Por, ky projekt që sipas Ramës është spektakolar po mbahet peng nga Presidenti Ilir Meta.  

Kreu i qeverisë tha se kreu i shtetit nuk ka autorizuar plotfuqinë pavarësisht se janë kryer negociatat me fondin saudit. Kreu i qeverisë shoqërohej nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli dhe drejtuesi politik i këtij qarku, Damian Gjiknuri.

“E ka marrë vesh e gjithë Vlora”, tha Rama, por nuk bëri të ditura arsyet se pse Meta nuk ka dhënë plotfuqinë për këtë projekt.

Dritan Leli: Do doja që ky projekt të vazhdonte me pjesën tjetër të projektit që janë korsitë e biçikletave, trotuarët, ku investimi është i garantuar nga qeveria dhe ka një shqetësim të opinionit publik në rritje të bllokimit në Presidencë të plotfuqisë së fondeve të garantuara tani më për të kaluar në fazën tjetër të investimit. Do doja të ketë shumë patjetër një reagim, për ta çuar përpara dhe për të mbërritur këto investime të dakordësuara, të firmosura dhe vetëm për arsye të plotfuqisë nuk mbërrijnë kjo pjesë tjetër e investimit në territor.

Edi Rama: Tashi ne nuk kemi dashur që të bëjmë debat publik të politizuar për këtë, por është fakt që ka qysh nga fillimi i Nëntorit që presim plotfuqinë, një autorizim formal i Presidentit, pasi kemi bërë të gjithë negociatën me fondin saudit dhe faktikisht është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia ne nuk e materializojmë dot. Është një fond i konsiderueshëm për të zhvilluar projektin në dy drejtime. E para, gjithë rehabilitimin dhe sistemimin e gjithë kësaj rruge që është deri poshtë në Radhimë dhe pastaj në Orikum, plus rrugën tjetër sepse pjesën e Radhimës e kemi premtuar me kohë që do ta bëjmë, do ta urbanizojmë duke futur elementë të Lungomares dhe rrugën e makinave do ta devijojmë në një masë të caktuar që të mos jetë ajo rrëmuja e tmerrshme këtu. Plazhistë me restorante, me bare dhe pisha e këtu makina që kalojmë. Tani jemi në bllokadë.

Dritan Leli: Duket sikur po mbahet peng ky projekt që të investojmë te rruga ku paralelisht mund të bëhen të dyja.

Edi Rama: Unë s’kam dashur ta bëj zhurmë këtë punë, por tani e ka marrë vesh gjithë Vlora që e bllokon Ilir Meta. Nuk e di çfarë ka. Ose më saktë e di çfarë ka, por nuk dua të hyj në këtë gjë, por thjesht të bëhet kjo gjë sepse është bllokim absurd i këtij projekti. Është projekt spektakolar, duhet vetëm të mos na pengojë plotfuqia e Shkëlqesisë.