Shembja e pallatit në Rrugën “Myslym Keta” në Tiranë është agresion i përsëritur në paligjshmëri të plotë dhe i egër ndaj qytetarëve të thjeshtë ashtu si tek Teatri Kombëtar, Astiri, Bregu i Lumit dhe 5 Maji.

Është vlerësimi që vjen nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili teksa publikon pamjet nga aksioni i IKMT-së, shprehet se natën dhe me dhunën e policisë, qytetarëve ju rrëmbehet dhe ju shkatërrohet prona që të majmen klientët e “Rilindjes”.

“Natën dhe me dhunën e Policisë së “Rilindjes” qytetarëve ju rrëmbehet dhe ju shkatërrohet prona që të majmen klientët e “Rilindjes”.

Fëmijë, të moshuar, burra dhe gra janë hedhur në rrugë të madhe, që të vazhdojë grabitja dhe plaçkitja e bandës së Erion Veliaj dhe oligarkëve përqark tij.

14 maji është dita e madhe kur qytetarët e Tiranes do t’ju japin ndëshkimin më të rreptë këtyre agresorëve dhe hajdutëve të shfrenuar”, shprehet kreu i PL-së, Ilir Meta.