Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje palëve politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për të krijuar një klimë sa më pozitive për zhvillimin e biznesit dhe të sipërmarrjes së lirë sepse në këtë mënyrë sipas tij ndihmohen shqiptarët për të ruajtur vendet e punës, ndihmohen shqiptarët që të gjejnë vende të reja të punës. Duke folur gjatë një takimi në Komunën e Krutjes me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në këtë komunë si edhe në Komunat Bubullimë edhe Kolonjë, komuna të Qarkut të Fierit, Meta inkurajoi sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj për të investuar në Shqipëri.
“Ne jemi të bindur se qytetarët tanë ndeshen me sfida të vështira që kanë bëjnë me përballimin e jetesës së përditshme, me edukimin, me shkollimin e fëmijëve të tyre dhe këto janë sfidat me të cilat ne merremi dhe do të merremi, sot dhe në të ardhmen. Është e domosdoshme që politika të japë mesazhe instruktiveve të cilat e përmirësojnë klimën e biznesit, të cilat inkurajojnë sipërmarrësit dhe biznesmenët për të investuar dhe jo të japë mesazhe hakmarrëse dhe konfliktuale sepse perspektiva e mirë e një biznesi nuk do të thotë perspektivë e mirë për një biznesmen por do të thotë një garanci për të ruajtur dhe për të shtuar vendet e punës, për dhjetëra, qindra lushnjarë dhe shqiptarë”, u shpreh ai.
Meta deklaroi se LSI është më e vendosur se asnjëherë tjetër që potencialin e jashtëzakonshëm të banorëve të Krutjes, Bubullimës, Kolonjës por edhe të gjithë Myzeqesë për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë vendit, ta vërë më mirë në lëvizje në të ardhmen përmes rritjes dhe fuqizimit të skemave mbështetëse për prodhimet bujqësore, për agro-përpunimin, për uljen e kostove të prodhimeve të fermerëve.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi gjithashtu se LSI do të vazhdojë të sillet në mënyrë europiane, do të vazhdojë me shpirtin e saj proeuropian të fuqizojë mesazhin e saj të bashkëpunimit, mesazhin e saj të integrimit, mesazhin e saj të modernizimin të shoqërisë sonë përmes pjesëmarrjes dhe jo përjashtimit, përmes bashkëpunimit dhe ndarjeve, përmes dashurisë dhe jo urrejtjes.