Në kuadër të konsultimeve për caktimin e një datë të re për zgjedhjet lokale, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar në presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta.

Ditën e djeshme, Meta priti aleatët e tjerë të PD-së. Pas takimit me kreun e shtetit, Idrizi u shpreh i gatshëm të ulet edhe me kryeministrin Edi Rama në tryezë, si kryetar partie.

“Ky takim me presidentin Meta vjen në një situatë të vështirë për demokracinë, ku vendi po rrëshket në hullitë e autoritarizmit. ndamë me presidentin shqetësimin për situatën e rëndë ku ndodhet vendi. Vlerësojmë aktin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve. I bëmë të qartë që sot nuk është momenti të diskutojmë për një datë të re zgjedhjesh por koha të largohemi nga marria dhe spiralja ku jemi futur. Është momenti që kokat e nxehta, ata që e kanë në dorë të ulen. Akti apo dekreti i Presidentit sigurisht që ka natyrë individuale por e drejta e dekretimit të zgjedhjeve është një e drejtë kushtetuese dhe vë në lëvizje atë të drejtë që shqiptarët e kanë fituar në 1990, pluralizëm politik, zgjedhje dhe jo votime”– tha ai pas takimit.

Gjithashtu po sot paradite Presidenti priti kryetarin e partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima. Këto konsultime vijnë në kohën kur Meta vendosi çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.