Presidenti Ilir Meta ka publikuar një deklaratë të Këshillit të Evropës, që flet për demokracinë, që sipas këtij institucioni, është më shumë se shumica qeverisëse e një vendi.
Teksa publikon deklaratën, Meta shkruan në Facebook se ky është një “angazhim që duhet mbështetur nga të gjithë që të parandalohet degradimi i standardeve demokratike të qeverisjes dhe shtetit të së drejtës”.
“Komiteti i Ministrave ka rënë dakord sot për një listë kontrolli, që synon të sigurojë që fituesit e zgjedhjeve të mbështesin praktikat demokratike. Lista e kontrollit, e përpiluar nga Komisioni i Venecias, u jep udhëzime qeverive se si të mirëmbajnë kontrollet dhe ekuilibrat e demokracisë, pavarësisht se çfarë lloj sistemi përdoret në vendin e tyre. Kjo nismë pason paralajmërimin e Komisionit të Venecias, i bërë publik nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, në raportin e vitit 2016, ku thuhej se disa qeveri për të fituar pushtetin në zgjedhje, po përpiqen të çmontojnë masat mbrojtëse demokratike, duke nxitur përmes ligjeve pa debat të mirëfilltë politik largimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të pavarur. Lista kontrolluese thekson se demokracia është më shumë se “fituesi i merr të gjitha” dhe se shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare kanë përgjegjësi të mbajnë praktikat demokratike efektive.”, thuhet në deklaratën e KiE.





