TIRANË, 18 mars 2013– Oferta e Metës është në tryezën e Ramës, i cili ka përpara historisë, dy opsione: Përgjegjësinë e orientimit të pushtetit drejt një shpëtimi politiko-ekonomik, ose shkatërrimin e së majtës për një kohë të paimitueshme. Kështu shkruan e përditshmja, 'Telegraf'.
“Kjo ofertë e propozuar nga LSI përmban formulën e fitores së padiskutueshme të zgjedhjeve të 23 Qershorit, por konkretizimi i saj kërkon një vendosmëri dhe sinqeritet të plotë. Sepse ky propozim synon për të fituar të gjitha dhe për t’i ndarë ato midis dy partive kryesore ose për të humbur të gjitha dhe për të vazhduar monotoninë e opozitës duke fajësuar manipulimet e KQZ”, citon e përditshmja.
Oferta e Metës në adresë të Ramës synon shkrirjen e 2 partive në selinë kryesore të saj dhe daljen në zgjedhjet e 23 Qershorit me një sigël të vetme, me siglën e Partisë Socialiste.
“Por, pas zgjedhjeve, ose më mirë pas fitores së garantuar të zgjedhjeve, oferta paracakton kushtëzimin kryesor, sipas të cilit, Rama duhet të zgjedhë, ose kryeministrin ose Kryetarin e Partisë Socialiste. Me fjalë të tjera oferta i lë dorën e lirë Ramës të zgjedhë një nga dy postet, duke e lënë hapësirën e lirë për kreun aktual të LSI. Nëse Rama do të marrë karrigen e kryeministrit, Meta do të merret me reformimin e PS”, shkruan 'Telegraf'.