Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi i është kundërpërgjigjur deklaratave të kreyministrit Rama ndaj presidentit Meta në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS.
“O shoku thirri mendjes!
Unë e dua më shumë Margaritën se Monikën! E di pse? Se Monika braktisi Parlamentin kundër dëshirës dhe vullnetit tim, ndërsa Margarita në moshën 16-vjeçare shkruante në hartim: “Më pyet shpesh vëllai më i vogël: Motër përse na duhet Atdheu? Dhe unë i përgjigjem: Atdheu na duhet që të jemi të lirë!”
Nuk ka Atdhe në botë pa Dëshmorë dhe Heronj o Spiropalist ordiner!
LAVDI DËSHMORËVE DHE HERONJVE TË ATDHEUT!”, shkruan zëdhënësi i presidencës.
Dekorimi që Presidenti Meta i bëri heronjve dhe dëshmorëve të luftës u prek si argument në fjalën që Edi Rama mbajti në Asamblenë e Partisë Socialiste. Kjo çështje ka qenë në fakt prej pak ditësh pjesë e retorikave Rama-Meta të ashpërsuara së fundi.
Rama tha ndër të tjera se ndoshta një ditë Meta do të dekorojë edhe Skënderbeun.
“Është presidenti i parë dhe i fundit i një republike, që jep dekorata për ata që kanë vdekur para se ky të lindte. Nuk ka, nuk ekziston.
Mbretërit, presidentët, nuk japin dekorata për ata që kanë vdekur më parë, për një arsye shumë të thjeshtë. Dekorata është një simbol që të shquan ty nga të tjerët, pra të gjallë mes të gjallëve. Ka medalje të posçame për ata që vriten në krye të detyrës sot. Të dekorosh heronjtë e popullit, kjo e kalon Boratin. Kjo e bën Boratin të vetmin origjinal më të dobët se kopja. Çfarë i bën Ilir Meta Vojo Kushit, ai është hero i popullit.
Ky nga çfarë lartësie e sheh Vojo Kushin, apo është në tankun imagjinar? Dhe Heroit të Popullit i jep dekoratë. Enver Hoxha ka dhënë vetëm një herë dhe ka dhënë për Selam Musain, ja dha ky prapë. Dhe ajo ka qenë e vetmja shkelje e protokollit. Imagjinoni këta në varr se si mund të rrotullohen kur ju shkon zëri që keni një dekoratë për të marrë. Dhe dekoratën e Vojo Kushit e merr njëri që s’e njeh as familja. Dhe duan ta lidhin Vojo Kushin me LSI. Thotë jam me Margarita Tutulanin, por mes Margaritës dhe Monikës ka një ndryshim shumë të madh. O Ilir lëri të rënët në punën e tyre. Heronjve të popullit nuk u jepen dekorata. Dhe kështu siç e ka nisur kam përshtypjen që do t’i japë dekoratë edhe Skënderbeut. Ku do shkojë? Nuk la më njeri pa dekoruar. Kanë marrë varrezat me radhë”, tha kryeministri.





