16 shtator 2013– Vendimi i qeverisë për zëvendësimit e fotos së presidentit Nishani me portretin e Ismail Qemalit nëpër zyrat e shtetit vijon të komentohet nga politika dhe media.I pyetur nga kjo e fundit, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, tha sot se ai nuk do e heqë portretin e Nishanit për faktin se nuk e ka gjetur atë në zyrë. Ashtu si një ditë më parë, Meta theksoi se figura e Ismail Qemalit është një simbol bashkimi.

“Sa i takon kësaj, kjo nuk duhet keqkuptuar sipas mendimit tim. Nuk mund ta heq portretin e presidentit nga zyra e kryetarit të Kuvendit, sepse nuk e kam gjetur portretin e tij në këtë zyrë, por do ta vëmë javës tjetër foton e tij në zyrën e Kuvendit, në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe të asaj që përfaqëson presidenti në Kushtetutë, ashtu sikurse do të vëmë kudo portretin e themeluesit të shtetit tonë, Ismail Qemalit”.Sot, presidenti Nishani e cilësoi mungesë serioziteti vendimin për heqjen e fotos së tij nga zyrat e shtetit, ndërsa ish-presidenti Topi është shprehur se ky fakt nuk është i paprecedent siç pretendon opozita. Topi thotë se e njëjta gjë ndodhi me portretin e tij, gjatë kohës kur ishte president dhe marrëdhëniet me partinë në pushtet u ftohën.

 

/gazeta dita/