Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta po zhvillon një vizitë në Malin e Zi.
Mësohet se Meta do të zhvillojë takime në selinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), ndërsa është pritur fillimisht nga Sekretari i Përgjithshëm i DPS-së, Aleksandar Bogdanoviç.
“Shumë i lumtur të nis ditën në Mal të Zi, me takime në selinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), që ka një kontribut historik për arritjen e Pavarësisë, anëtarësimin në NATO dhe përshpejtimin e integrimit evropian të këtij vendi fqinj, mik të vërtetë dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë.
Sot DPS është në opozitë, por një gardiane e vendosur në mbrojtje të vlerave dhe rrugës së qartë evropiane e euro-atlantike të Malit të Zi dhe në të ardhmen Partia e Lirisë do të ketë një bashkëpunim edhe më të madh në interes të të dy vendeve dhe popujve tanë.
E falënderova Sekretarin e Përgjithshëm të DPS, z. Aleksandar Bogdanoviç për pjesëmarrjen në Konventën historike të Partisë së Lirisë dhe jam besimplotë se nëpërmjet forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes forcave tona politike do të japim një kontribut të vyer për të garantuar prosperitetin e pandalshëm të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të rajonit tonë.
I lumtur të dëgjoja prej tij vlerësimet më të larta për Konventën tonë dhe sidomos për 5 prioritetet e Partisë së Lirisë”, shprehet Meta në krah të Bogdanoviç në video-mesazhin e publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social, ‘Facebook”.