Pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së paraditen e sotme, kryeparlamentari Ilir Meta, gjatë një konference për median, insistoi në intensifikimin e dialogut politik dhe gjetjen e një konsensusi për miratimin sa më shpejt të reformës në drejtësi, duke nënvizuar se konsensusi i opozitës është i nevojshëm nëse ajo vërtet është e sinqertë.

Sa i takon vendeve të rezervuara Meta tha se Shqipëria nuk e ka luksin të miratojë reformën në drejtësi pa opozitën. “Jam i habitur dhe i çuditur që kjo çështje nuk është zgjidhur më përpara. Kërkoj të zgjidhet me urgjencë dhe koherencë . Shqipëria nuk e ka luksin të miratojë reformën në drejtësi pa opozitën, nëse opozita vërtet është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja”, deklaroi Meta.

Kreu i LSI-së foli edhe për idenë e referendumit dhe të zgjedhjeve të parakohshme, duke e konsideruar si absurde, vetëm për shkak të një të drejte që kërkon opozita.

“Është absurde të shkohet në referendum për reformën në drejtësi vetëm për shkak se opozita kërkon një të drejtë të saj. Është absurde të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme”, tha ia duke kërkuar që të mos “ngatërrohet reforma me zgjedhjet”.

Meta tha se referendumi ka kuptim vetëm në rast se PD-ja nuk i qëndron angazhimit të saj se ka vetëm një çështje për të cilën nuk bie dakord, por nxjerr pretekste të tjera. Për zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet reforma, kanë folur disa zëra të PS-së, ndërsa idenë e referendumit e ka hedhur së pari kryeministri Edi Rama.