Sot në orën 9:59, Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të paraqitet përpara Komisionit Hetimor të Parlamentit. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një president përballet me një komision për t’u pyetur si i dyshuar mbi shkeljen e Kushtetutës.
Mazhoranca socialiste, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama e akuzon Presidentin për shkelje të rëndë të Kushtetutës pas vendimit për zhdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
Presidenti nuk do të jetë i vetëm, por do shoqërohet nga 3 këshilltarë. Presidentit nuk do t’i lexohet formula e betimit, pasi ai është person nën hetim.
Rregullorja e komisioneve parlamentare parashikon që formula e betimit i lexohet dëshmitarëve.
Pritet me interes strategjia që do të ndjekë Presidenti përballë këtij komisioni, nëse ai do të mjaftohet duke lexuar argumentet e dërguara në mënyrë shkresore komisionit hetimor përmes një shkrese prej 25 faqesh, apo do të preferojë që këtë seancë ta zhvillojë përmes pyetje-përgjigjeve.





