“Brezat e rinj në vendet e rajonit duhet të mësojnë të vërtetat historike për të mos lejuar që të ndodhin kurrë më tragjedi, si ato që kemi përjetuar pak dekada më pare”
Ky është mesazhi që Presidenti Ilir Meta përcolli përpara studentëvetë të e Shkollës prestigjoze “Lauder” të Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë në Izrael.
Ai mbajti një ligjëratë të veçantë me temë: “Shembulli unik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, si model i paqes”.
POSTIMI I PLOTË
E pranova me shumë kënaqësi ftesën e Shkollës prestigjoze “Lauder” të Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë në Izrael, për të mbajtur një ligjëratë të veçantë me temë: “Shembulli unik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, si model i paqes”.
Në përgjigje të interesimit të studentëve izraelitë mbi Ballkanin, që aq shumë ka vuajtur nga konfliktet dhe pasojat e tyre të tmerrshme, theksova se brezat e rinj në vendet e rajonit tonë duhet të mësojnë të vërtetat historike, për të mos lejuar që të ndodhin kurrë më tragjedi, si ato që kemi përjetuar pak dekada më parë.
Toleranca, bashkëjetesa etnike, fetare dhe kulturore në Ballkan është thelbësore, për ta çuar edhe më përpara paqen, stabilitetin dhe harmoninë rajonale, për promovimin e të cilave Shqipëria ndihet krenare që ka pasur një rol kryesor.





