Ambasadorja amerikane Yuri Kim i quajti si jo normale sulmet e politikës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në një reagim në rrjetet sociale, ajo tha se ka edhe përpjekje për të rrezikuar Reformën në Drejtësi.

“Kërcënimet dhe nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët  dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi në Shqipëri  nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.”

Ambasadorja Kim thekson se askush nuk është mbi ligjin dhe se Reforma në Drejtësi po jep rezultate ndaj të paprekshmëve.

“Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin.”

Ambasadorja nuk saktëson arsyet e qëndrimit të saj, por ai erdhi vetëm pak minuta pas reagimit që pati kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj njoftimit të SPAK se ka nisur hetimet ndaj tij për fshehje të pasurisë.