Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar një takim me politikanin e mirënjohur slloven, Borut Pahor.
Meta shprehet se Pahor është avokat i paepur i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Postimi i kreut të PL, Ilir Meta:
I lumtur të mirëpritesha në Ljubljanë, nga Presidenti vizionar Borut Pahor, avokat i paepur i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Vlerësova se Forumi Strategjik i Bledit dhe Procesi i Brdo-Brijunit mbeten dy platforma të shkëlqyera që na përafrojnë më shpejt me BE dhe se reformat e vërteta dhe të vendosura në këtë drejtim do të luajnë rolin e forcës kryesore shtytëse për shoqëritë tona, për të përmirësuar standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, llogaridhënies në çdo nivel dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe standardeve shoqërore.
Ndamë qëndrimin për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Mbështetemi shumë tek Sllovenia dhe vlerësojmë se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë miq meritojnë rezultate shumë konkrete në nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.