Kryetari i LSI-së Ilir Meta iu përgjigj lajmeve të publikuara në media, për një takim të fshehtë mes tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, në Bruksel. Duke hedhur poshtë aludimet për takime të fshehta, Meta nënvizoi se ndodhet në Bruksel për tu takuar me drejtuesit socialistë, dhe në këtë kontekst është normale të takohet edhe me kryetarin e PS-së. “Unë jam këtu për tu takuar me të gjithë drejtuesit e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit e të Europës dhe është normale që të takohemi edhe me kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.”- u shpreh Meta.
Ndërkohë, siç bën të ditur zyra e shtypit e LSI-së, kryetari Ilir Meta deklaroi nga Brukseli se pjesa më e madhe e 12 prioriteteve për marrjen e statusit kandidat janë realizuar. Në një prononcim për mediat shqiptare të pranishme atje, kreu i LSI-së u shpreh se nevojitet konsensus dhe vullnet që edhe çështjet e mbetura, si miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe miratimi i rregullores së procedurave parlamentare, të zgjidhen në ditët në vazhdim që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Brukseli.
“Pjesa më e madhe e 12 prioriteteve tashmë janë realizuar apo plotësuar pavarësisht se mbeten ende disa çështje të rëndësishme sikurse është miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, miratimi i rregullores së procedurave parlamentare. Unë shpresoj dhe besoj se në ditët që kanë mbetur këto çështje me konsensus dhe me vullnet të zgjidhen, të tejkalohen, dhe komisioni të ketë mundësinë që të bëjë një propozim sa më pozitiv për Shqipërinë.”- u shpreh Meta.