TIRANE, 01 mars 2013– Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke pasur një takim të veçantë me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi.
Në një prononcim për mediat pas takimeve lideri i LSI-së ka deklaruar se ka biseduar me diplomatët e BE-së për çështje të rëndësishme të politikës shqiptare, kryesisht për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Në këtë pikë Meta theksoi se partia e tij është e hapur të bashkëpunojë edhe me PS për të çuar përpara procesin e integrimit.
“Ne jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj. Natyrisht që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë”,- tha Meta.
Kreu i LSI ka shprehur gjithashtu angazhimin e qartë të LSI-së për një proces maksimalisht transparent dhe të ndershëm zgjedhor, I cili mund të mbikqyret nga një mision ekskluziv i BE-së.
“Zgjedhjet janë vlerësuar si një test i rëndësishëm, dhe janë test i tillë. Unë kam shprehur angazhimin për të pasur një monitorim sa më të gjerë të këtij procesi. Këtu ne nuk kemi asgjë për të fshehur përkundrazi. Ne jemi pjesë e BE dhe do të bëhemi dhe më shumë pjesë e tij përmes një procesi të ndershëm zgjedhor”,- tha Meta.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/